Summary
Read the full fact sheet- Ju mund ta ndihmoni fëmijën tuaj të rikuperohet nga përvojat tronditëse ose të frikshme. Këto përvoja mund të përfshijnë: aksidente me makinë zjarre në pyje dhe përmbytje sëmundje të papritura ose vdekje në familje krim, abuzim ose dhunë
- Fëmijët do të vëzhgojnë: se si e përballoni vetë krizën se si reagoni ndaj ndjenjave dhe sjelljes së tyre
- Këto këshilla mund t’ju ndihmojnë të bisedoni me fëmijën tuaj për përvojat që ka kaluar. Është e rëndësishme t'ia tregoni fëmijës suaj faktet, në një mënyrë që i përshtatet moshës dhe nivelit të tij/saj të të kuptuarit.
- Ju gjithmonë mund të kërkoni ndihmë profesionale. Një vend i mirë për të kërkuar ndihmë është mjeku i familjes.
On this page
Si reagojnë fëmijët ndaj traumës
Reagimi i një fëmije ndaj një përvoje tronditëse ose të frikshme mund të varet nga:
- mosha e tyre
- personaliteti i tyre
- mënyra se si po reagoni ju ose familja juaj
Fëmija juaj mund të mos reagojë në mënyrën që prisni. Ai ose ajo mund të jetë:
- i/e tërhequr – mund të humbasë interesin për aktivitete. Gjithashtu mund të jetë më pak i/e sigurt në vetvete, më i/e heshtur, ose t'i kthehet sjelljeve që kishte kur ishte foshnjë.
- i/e përqendruar te përvoja – mund të ketë nevojë ta përjetojë sërish ngjarjen. Për shembull, përmes lojërave ose vizatimeve të përsëritura. Fëmija mund të ketë frikë nga ngjarje të ardhshme ose të shohë ëndrra të këqija.
- i/e shqetësuar – mund të ketë vështirësi në përqendrim ose vëmendje. Mund të kërkojë të jetë gjithmonë pranë jush, të ketë probleme me gjumin ose të irritohet lehtë.
- me probleme shëndetësore – mund të ketë dhimbje koke ose barku.
Fëmija juaj mund të ketë një reagim të vonuar. Disa fëmijë mund të duken mirë në fillim, por mund të reagojnë pas disa ditësh, javësh ose edhe muajsh.
Si të flisni për një ngjarje traumatike
Do ta ndihmojë fëmijën tuaj nëse jeni të sinqertë me të. Ju mund të:
- siguroni fëmijën se është i/e sigurt dhe se ngjarja ka përfunduar. Mund të jetë nevoja ta siguroni shumë herë.
- dëgjoni fëmijën tuaj. Merrni seriozisht ndjenjat dhe shqetësimet e tyre.
- i tregoni fëmijës se dëshironi të dini si ndihet.
- shpjegoni çfarë ka ndodhur në një mënyrë të përshtatshme për moshën e tyre. Përdorni gjuhë që ai/ajo e kupton. Nëse fëmija nuk i di faktet bazë, mund të përpiqet të krijojë vetë një version të asaj që ndodhi. Mund të përdorë imagjinatën ose informacione të pjesshme për ta plotësuar historinë. Kjo mund të shkaktojë më shumë ankth dhe konfuzion.
- siguroheni që fëmija të kuptojë se nuk është faji i tyre. Mund të mendojë kështu nëse ka qenë i/e padisiplinuar ose ka pasur mendime të këqija për dikë.
- flisni për ngjarjen si familje. Lejojeni secilin të shprehë mendimin, përfshirë edhe fëmijët. Kjo i ndihmon të gjithë të ndihen të mbështetur, të dëgjuar dhe të kuptuar.
- flisni me fëmijën për mënyrën si njerëzit mund të reagojnë ndaj përvojave tronditëse. Tregojini se ndjenjat e tyre janë normale në këto rrethana. Sigurojini se me kalimin e kohës do të ndihen më mirë.
Si të reagoni ndaj një ngjarjeje traumatike
Reagimet tuaja ndaj ndjenjave dhe sjelljes së fëmijës do të ndikojnë në procesin e rikuperimit të tij/saj. Është e rëndësishme të:
- jeni mirëkuptues ndaj ndryshimeve në sjelljen e tyre. Fëmijët reagojnë ndryshe ndaj ngjarjeve tronditëse apo të frikshme. Ndryshime në sjellje si shpërthimet emocionale/inatosjet apo urinimi në shtrat janë të zakonshme.
- i jepni fëmijës suaj më shumë vëmendje. Kjo është veçanërisht e rëndësishme gjatë kohës së gjumit dhe në momentet e ndarjes.
- kërkoni ndihmë për veten tuaj. Fëmijët mbështeten te prindërit apo kujdestarët për të kuptuar dhe përballuar një krizë. Ata kanë nevojë që të rriturit të kuptojnë frikët e tyre dhe t'i ngushëllojnë. Nëse ju vetë jeni të tronditur, ju gjithashtu mund të kërkoni mbështetje. Nëse nuk e bëni këtë, mund ta rrisni ankthin dhe stresin që ndjen fëmija juaj.
- flisni për ndjenjat tuaja me fëmijën në mënyrë të përshtatshme. Kjo mund ta ndihmojë atë të shprehet për ndjenjat e veta.
- mbani mend se çdo person është i/e ndryshëm/e dhe ndjen ndryshe. Mos prisni që fëmija juaj të ndihet njësoj si ju.
- i jepni fëmijës tuaj një ndjenjë kontrolli mbi jetën e tyre. Edhe vendimmarrjet e vogla mund ta bëjnë të ndihet më i/e sigurt. Kjo është veçanërisht e rëndësishme pas kaosit të një krize. Fëmijët që ndihen të pafuqishëm përjetojnë më shumë stres.
- përpiquni të mos e mbingarkoni fëmijën me mbrojtje të tepruar. Është normale të dëshironi ta mbani familjen pranë pas një krize. Por është e rëndësishme që fëmija të ndiejë se bota përreth është përsëri e sigurt.
Rutinat familjare pas një ngjarjeje traumatike
Është e rëndësishme të:
- ruani sa më shumë të jetë e mundur rutinën tuaj të zakonshme. Kjo e qetëson fëmijën.
- siguroni fëmijën nëse nuk është në gjendje të përballojë rutinën e zakonshme. Kjo mund të përfshijë ndjekjen e shkollës ose kryerjen e punëve në shtëpi.
- shmangni futjen e ndryshimeve si rutina të reja, përgjegjësi të reja ose pritshmëri të reja për sjelljen e tij/saj.
- mbani rolin tuaj si i/e rritur në shtëpi. Nëse e keni të vështirë, është e rëndësishme të mos mbështeteni tek fëmija për ndihmë.
Si ta ndihmoni fëmijën tuaj të rikuperohet:
Është e rëndësishme të:
- i jepni fëmijës shumë kohë për të luajtur. Kjo mund të përfshijë sportin, lojërat e preferuara dhe aktivitete me miq të njohur.
- lini kohë për argëtim. E qeshura, momentet e këndshme dhe kënaqësia e përbashkët ndihmojnë të gjithë anëtarët e familjes të ndihen më mirë.
- mbani mend se oreksi i fëmijës mund të ndryshojë. Nëse nuk ka dëshirë të hajë gjatë vakteve, ofrojini ushqime të vogla (snacks) përgjatë ditës.
- siguroheni që fëmija juaj të pushojë dhe flejë mjaftueshëm.
- ndihmoni fëmijën tuaj për të bërë ushtrime fizike. Kjo do ta ndihmojë fëmijën tuaj të përballojë stresin dhe të përmirësojë gjumin.
- kufizoni sheqerin, ushqimet me ngjyra artificiale dhe çokollatën.
- ndihmoni fëmijën të relaksohet fizikisht. Kjo mund të bëhet me banja të ngrohta, masazhe, kohë tregimesh dhe shumë përqafime.
- ndryshoni aktivitetin nëse ai/ajo ndjehet i/e mërzitur ose i/e shqetësuar. Si për shembull, një program televiziv që e bën fëmijën të ndihet i/e frikësuar ose i/e tronditur.
Nëse në ndonjë moment jeni të shqetësuar për shëndetin tuaj mendor ose për shëndetin mendor të një personi të dashur, telefononi Lifeline në numrin 13 11 14.
Ku të merrni ndihmë
- Mjeku juaj i familjes
- Infermierja e shëndetit të nënës dhe fëmijës
- Qendra shëndetësore e komunitetit tuaj lokal
- Pediatri ose Psikiatri i Fëmijëve dhe Adoleshentëve – mund t'ju referoje mjeku juaj
- Qendra Phoenix Australia për Shëndetin Mendor Post-traumatik Numri i telefonit (03) 9035 5599
- Qendra për Zinë dhe Vuajtjen Numri i telefonit 1800 642 066
Gjithashtu mund të merrni këshilla nga:
- Lifeline (Linja e jetës) Numri i telefonit 13 11 14
- GriefLine (Linja e Zisë) Numri i telefonit 1300 845 745
- beyondblue (përtej blusë) Numri i telefonit 1300 22 4636
- Kids Helpline (Linja e Ndihmës për Fëmijë) Numri i telefonit 1800 55 1800
- NURSE-ON-CALL (INFERMIER/E NË GATISHMËRI) 1300 60 60 24 – për informacion dhe këshilla shëndetësore nga ekspertë (24 orë, 7 ditë)
- Uebfaqe Australiane për Prindërim – raisingchildren.net.au